Me datën 11 korrik, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) së bashku me Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizuan tryezën e parë tematike “Ndikimi i MSA-së në zhvillimin ekonomik dhe në investimet e huaja direkte”. Panelistët e tryezës përpos Drejtoreshës Ekzekutive të PIPS, Leonora KRYEZIU e cila gjithashtu udhëhoqi debatin, ishin: Shkëlqesia e saj Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë; znj. Gerrie WILLEMS; znj. Hykmete BAJRAMI, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë; z. Kapllan HALIMI, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe z. Bernard NIKAJ, Ambasador i emëruar në Bruksel dhe Ish-Ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Në tryezë u diskutua se MSA është një arritje për Kosovën dhe paraqet një bazë të mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës duke stimuluar prodhimin dhe sjelljen e investitorëve të huaj. U përmend se sundimi i ligjit dhe korrupcioni janë hallka kyçe që pengojnë rezultatet e MSA-së dhe klimën e të bërit biznes në Kosovë. Mbi të gjitha, u konkludua se MSA-ja paraqet një kornizë ligjore e cila mund të shtyejë reforma shumë të nevojitura për ekonominë e Kosovës, në të njëjtën kohë duke ofruar qasje në një treg prej 500 milionësh për bizneset kosovare, mirëpo është në dorë të vullnetit, vizionit dhe punës së institucioneve kosovare që të nxjerrin më të mirën prej kësaj marrëveshjeje. Kjo tryezë u pasua me aktivitete të tjera në kuadër të projektit “Promovimi Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Nisja e Debatit Publik për të Ardhmen Evropiane të Kosovës“, që përkrahet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë dhe zbatohet nga PIPS dhe GLPS.
Programet | |
Viti i publikimit | |