Me datën 7 Korrik Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) publikoi analizën e politikave “Racionalizimi i Agjencive të Pavarura dhe Rregullatorëve në Kosovë”. Analiza e hartuar pas një periudhe disamujore hulumtimi ofron një përshkrim të përgjithshëm të situatës aktuale të reformës së administratës publike, gjegjësisht zbatimit të racionalizimit të agjencive të pavarura, ekzekutive dhe rregullatorëve. Në të njëjtën kohë ajo ofron rekomandime mbi një version se si vala e parë e racionalizimit do të mund të organizohet.
Me rastin e këtij publikimi u mbajt edhe një diskutim tematik, në po të njëjtën temë, ku të ftuar ishin z. Mahir Yagcilar, Ministri i Administratës Publike (MAP), znj. Shqipe Pantina, Anëtare e Komisionit për Administratë Publike dhe Vedat Sagonjeva, nga Zyrja e Kryeministrit. Gjithashtu prezent ishin përfaqësues të agjencive të përfshira në valën e parë të racionalizimit.
Gjatë diskutimit, të tre panelistët Ministri Yagcilar, Deputetja Pantina dhe përfaqësuesi i Qeverisë Sagonjeva theksuan nevojën evidente për zbatimin e plotë të kësaj reforme, si obligim i Kosovës që rrjedh nga dokumenti i ERA-s, por edhe si një ndërmarrje për të përmirësuar shërbimin dhe funksionimin e administratës publike në përgjithësi. Në këtë kuadër, brenda panelistëve të tryezës kishte pajtim se Kosova tashmë është vonë në përmbushjen e kësaj reforme dhe se zbatimi i plotë i saj është në interes të shtetit dhe qytetarëve kosovarë. Gjatë diskutimit të hapur agjencitë e përfshira në reform gjithashtu patën rastin të shprehin qëndrimet e tyre karshi reformës.
Eventi dhe projekti mbi racionalizimin u zbatua me përkrahjen e Kosovo Foundation for Open Society (KFOS).
Programet | |
Viti i publikimit | |