e mërkurë, 1 tetor 2025
Vjetari i Politikës së Jashtme të Kosovës 2024–2025 pasqyron zhvillimet kryesore në marrëdhëniet bilaterale, përpjekjet për njohje të reja diplomatike, avancimin në proceset e integrimit euroatlantik dhe sfidat e vazhdueshme në dialogun me Serbinë, gjatë periudhës së raportimit 1 Janar 2024, deri më 15 mars 2025.
Dokumenti sjell një panoramë të plotë të veprimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke përfshirë reformat e brendshme, angazhimin me diasporën dhe nismat për diplomaci ekonomike e kulturore. Përmes analizës së partneriteteve me vende të rajonit, Evropës, SHBA-së dhe më gjerë, raporti synon të ofrojë një pasqyrë të qartë mbi arritjet dhe pengesat e Kosovës në skenën ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe.
e enjte, 29 maj 2025
Instituti i Prishtinës për Studime Politike ka publikuar Raportin e Katërt Monitorues: Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031, për periudhën 2025 (duke përfshirë edhe masat e paplotësuara të viteve paraprake). Raporti është bërë në kuadër të projektit ‘Rritja e llogaridhënies publike në procesin e integrimit evropian’, në bashkëpunim me Lëvizja FOL, i mbështëtur nga programi MATRA, i cili financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.
e martë, 25 shkurt 2025
Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 8 mars 2023.
Kjo Strategji synon të adresojë sfidat aktuale dhe të vendosë bazat për një të ardhme të sektorit energjetik që do të ofrojë siguri të furnizimit, energji të pastër, efiçiencë të energjisë dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve. Strategjia përfshin integrimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës në tregun rajonal dhe atë pan-Evropian, me theks të veçantë në përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) dhe bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Shqipërisë.
Republika e Kosovës ndodhet në një pikë kyçe në zhvillimin e sektorit të saj energjetik, udhëhequr nga Strategjia e Energjisë së Kosovës 2022-2031. Kjo strategji shërben si një kornize drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm, efikas dhe të besueshëm, që mbështet rritjen ekonomike të vendit dhe përmirëson mirëqenien e qytetarëve të saj. PIPS monitoron implementimin e Strategjisë së Energjisë, dhe ky raport është i treti me radhë. Raporti i monitorimit shërben si një mjet thelbësor, duke ofruar një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të zbatimit të strategjisë për vitin 2024 (duke përfshirë vitin 2023). Raporti synon të vlerësojë arritjet dhe të identifikojë sfidat gjatë këtyre viteve të implementimit të strategjisë.
e hënë, 3 shkurt 2025
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), në bashkëpunim me Komunën e Suharekës, ka realizuar një manual praktik për përdorimin e shërbimeve digjitale në këtë komunë.
Ky udhëzues ofron informata të detajuara mbi mënyrën e përdorimit të platformave si eKosova dhe Ndreqe.com, të cilat janë identifikuar si shërbimet më të përdorura nga qytetarët, bazuar në një anketë të fundit. Anketa ka evidentuar sfidat që qytetarët hasin në përdorimin e faqes së komunës dhe ka reflektuar nivelin e kënaqësisë së tyre me shërbimet online, duke nxjerrë në pah edhe mënyrat e preferuara të informimit rreth tyre.
Ky projekt synon të rrisë transparencën dhe të fuqizojë zyrtarët publikë në përputhje me Reformën e Administratës Publike dhe si aktivitet të fundit, kishte krijimin e këtij manuali që adreson nevojat e qytetarëve dhe lehtëson qasjen e tyre në shërbime.
Manuali është prodhuar në kuadër të projektit “WeBER 3.0” për Reformën e Administratës Publike në Ballkanin Perëndimor. WeBER zbatohet nga Think for Europe Network (TEN) dhe Qendra për Kërkime në Administratën Publike (KDZ). PIPS është një nga përfituesit e WeBER 3.0 në kuadër të Local PAR Citizen Engagement Small Grant Facility 2024/2025. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA). Përmbajtja e këtij manuali reflekton pikëpamjet e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht ato të BE-së, ADA-s, TEN-it apo KDZ-së.