Reforma e racionalizimit të agjencive ekzekutive dhe rregullatorëve në Kosovë - Faza e dytë
Qershor 2020
Faza e dytë e reformës së racionalizimit të agjencive ekzekutive dhe rregullatorëve është vazhdimësi e fazës së parë, e cila ka filluar së zbatuari në vitin 2018. Reforma në tërësi, si pjesë e dialogut të reformave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në fushën e administratës publike, është iniciuar në vitin 2015,. Kjo reformë është gjithashtu pjesë e prioriteteve politike, të dakorduara ndërmjet Kosovës dhe BE-së në vitin 2016, për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Pas fazës së parë, zbatimi i së cilës akoma nuk është përmbyllur, e rrjedhimisht ka vonesa në zbatimin e fazës së dytë, e cila, sipas planit të veprimit për zbatimin e tërë reformës, synohej të përmbyllej deri në fund të këtij viti. Sikur për këtë reformë në tërësi, edhe për këtë fazë është me rëndësi hyrja në fuqi e tri ligjeve kornizë për reformën e administratës publike, ndonëse dy prej tyre janë pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri në fund të qershorit të këtij viti, gjë që pritet të ndikojë në zbatimin efektiv e kësaj reforme. Sidoqoftë, këto ligje vendosin një kornizë rregullative të standardizuar dhe uniforme mbi organizimin e institucioneve publike, zyrtarët publikë dhe pagat e sektorit publik. Më tej, bazuar në kornizën e politikave për këtë reformë, në fazën e dytë janë përzgjedhur njëzet agjenci ekzekutive të Qeverisë, gjysma prej të cilave duhet të racionalizohen duke u shkrirë në ministritë përkatëse ose duke u bashkuar me agjenci të tjera ose mes vete. Racionalizimi i tyre ka për synim përmirësimin e llogaridhënies dhe korrigjimin e duplifikimit të kompetencave ndërmjet tyre ose me institucione të tjera. Me qëllimin për të kontribuuar në zbatimin e fazës së dytë të kësaj reforme, kjo analizë politikash e trajton atë reformë në dy aspekte. Nga njëra anë, këtu vlerësohet gjendja aktuale lidhur me agjencitë e kësaj faze. Nga ana tjetër, analiza diskuton opsionet e mundshme për racionalizimin e tyre.
Programet | |
Viti i publikimit | |