Vjetari i Politikës së Jashtme (2025-26)
Nëntor 2026
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) publikon Vjetarin e Politikës së Jashtme të Kosovës 2025–2026, i cili analizon zhvillimet kryesore në politikën e jashtme nga 1 janari 2025 deri më 15 prill 2026. Raporti shqyrton marrëdhëniet me aleatët dhe vendet e rajonit, përpjekjet për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, integrimin euroatlantik dhe dialogun me Serbinë.
Gjatë kësaj periudhe, Kosova siguroi katër njohje të reja, nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet, pas gati pesë vitesh pa njohje të reja. Këto zhvillime nxorën në pah rolin e partnerëve si Turqia dhe Arabia Saudite në diplomacinë e njohjeve. Ndërkohë, dobësimi i koordinimit politik me Shtetet e Bashkuara dhe pezullimi i Dialogut Strategjik të planifikuar shënuan një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet me Uashingtonin. Aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk avancoi, ndërsa dialogu me Serbinë ngeci në nivel politik dhe zotimet e Brukselit dhe Ohrit mbetën kryesisht të pazbatuara.
Vjetari shqyrton gjithashtu se si ngërçi institucional në Kosovë vonoi vendimmarrjen dhe e vështirësoi zbatimin e zotimeve ndërkombëtare. Duke parë përpara, publikimi identifikon mundësi për rindërtimin e besimit me Shtetet e Bashkuara, forcimin e koordinimit me partnerët evropianë dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë të rinj. Raporti trajton edhe mundësitë për bashkëpunim praktik me pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën.
Ky publikim është realizuar me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS).
| Programet | - Politika e jashtme
- Integrimi evropian
|
| Viti i publikimit | |