Me datën 2 Prill Instituti i Prishtinës për Studime Politike publikoi anketën “Politika Ndërkombëtare dhe Partitë Politike: Perceptimet e qytetarëve të Kosovës”.
Anketa u publikua me përkrahjen e fondacionit Konrad Adenauer Stiftung (KAS).
Në panel morrën pjesë Leonora Kryeziu (Drejtoreshë Ekzekutive e PIPS), Granit Tërnava (KAS), Arben Hajrullahu (Universiteti i Prishtinës) dhe Butrint Berisha (PIPS) që i prezantoi të gjeturat kryesore të punimit.
Anketa është organizuar me një mostër prej 1200 respondentëve (800 shqiptarë, 200 serbë dhe 200 minoritete tjera), në 38 komunat e Kosovës. Pyetjet janë fokusuar në perceptimet e qytetarëve kosovarë mbi politikën ndërkombëtare, pozitën ndërkombëtare të Kosovës, politikën e jashtme të Kosovës dhe partitë politike.
Nga rezultatet shihet se Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel është dukshëm liderja më e preferuar e kosovarëve, me 53%, duke e lënë prapa Presidentin Amerikan Donald Trump me 17% dhe Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan me 15%.
Tutje, 55% e qytetarëve vlerësojnë se NATO është organizata që e ka ndihmuar Kosovën më së shumti nga viti 1999, duke e lënë kështu prapa BE-në me 21% dhe OKB me 12%.
Sa i përket popullaritetit të BE-së në këtë moment, 54% e kosovarëve vlerësojnë se BE është organizatë mike sot, bazuar në qasjen dhe politikat e saj karshi Kosovës. Ndërkaq, rreth 52% e qytetarëve mendojnë se Kosova është dëmtuar ndërkombëtarisht nga fushata e tërheqjes së njohjeve të sponsorizuar nga Serbia.
Vlerësimi pozitiv për politikën e jashtme dhe diplomacinë e Republikës së Kosovës është i ulët. Të pyetur se sa jeni të kënaqur me politikën e jashtme dhe diplomacinë e Republikës së Kosovës vetëm 3.8% e respondetëve kanë zgjedhur përgjigjen maksimale "shumë të kënaqur".
Programet | |
Viti i publikimit | |