Prej 21-23 Korrik dhe 28-30 Korrik u mbajt seminari i dytë i Shkollës Politike online. Përgjatë gjashtë ditëve pjesëmarrësit morrën pjesë në ligjërata nga ekspertë të politikave publike për fushat e ideologjisë politike dhe ndërlidhjes me politikat publike.
Z. Neritan Sejamini e hapi seminarin duke diskutuar me pjesëmarrësit rreth ideologjive politike dhe se si përkthehen këto ne politika publike, idetë kryesore në lidhje me raportin shtet vs. treg, sipas ideve politike të majta dhe të djathta.
Në ditën e dytë të seminarit të Shkollës Politike z. Edison Jakurti shqyrtoi disa nga pikëvështrimet e të majtës për ekonominë, duke sygjeruar një qasje kritike dhe heterodokse rreth analizës ekonomike dhe hartimit të politikave ekonomike.
Në ligjëratën e tretë u diskutua me Z. Dastid Pallaska për sundimin e ligjit në nxitjen e ekonomisë së tregut të lirë dhe konkurrencës, veçanërisht në shoqëritë si Kosova, që kanë kaluar në tranzicion të sistemit politik.
Ligjërata e katërt u mbajt me Z. Artan Mustafa, ku diskutuam për zhvillimin e politikave sociale në Kosovë nga socializmi në liberalizëm, përkatësisht duke i vështruar nga transformimet e pasluftës.
Më tutje, ligjërata e pestë u mbajt nga Z. Adri Nurellari, i cili mbuloi lindjen e dallimeve mes partive të majta dhe partive të djathta, si dhe alternativat e së djathtës në Kosovë si rrugë drejt zhvillimit ekonomik.
Seminari u përmbyll me një ligjëratë nga Z. Seb Bytyçi i cili prezantoi elementet kyçe të modelit të shtetit zhvillimor.
Programet | |
Viti i publikimit | |