Takimi prezantues i projektit “Rruga drejt përdorimit efiçent të burimeve natyrore vendore” u
zhvillua më 14 dhjetor 2022 në Kurbin. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i gjetjeve të anketimit të zhvilluar gjatë 3 muajve të fundit me familjarë dhe biznese si dhe intervistime të aktorëve të ndryshëm vendorë në bashkitë e Kurbinit dhe Suharekës me qëllim për të vlerësuar situatën e konsumit të energjisë si dhe ndërgjegjësimin e aktorëve të ndryshëm mbi “transformimin e gjelbër”.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin rreth 30 autoritete vendore në Kurbin dhe Suharekë, përfaqësues nga institucionet vendore, biznesi, shoqëria civile dhe media si dhe përfaqësues nga Sekretariati i Përbashkët Teknik IPA, me qendër në Lezhë.
Për të arritur objektivat e vendosura nga vendet tona në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të
energjisë, duhet të punojnë së bashku të gjithë sektorët e shoqërisë.
Delegacioni nga komuna Suharekë që vizitoi Kurbinin për këtë event u prit në një takim nga
kryetarja e bashkisë znj. Majlinda Cara, e cila vlerësoi në fjalën e saj gatishmërinë për të
bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencat më të mira në të dyja anët e kufirit.
Aktivitetin e përshëndetën:
Z. Erjon Tase, Drejtor, Akademia e Studimeve Politike;
Z. Eduart Kurti, nënkryetar i Bashkisë Kurbin;
Z. Berat Kabashi, Zyrtar i lartë i Komunës së Suharekës;
Znj. Leonora Kryeziu, Drejtoreshë e Institutit për Studime Politike të Prishtinës,
të cilët theksuan rëndësinë e këtij projekti dhe angazhimin e autoriteteve vendore për të
kontribuar dhe bashkëpunuar në realizimin e objektivave të tij.
Prezantimet e dy ekspertëve, që vlerësuan situatën aktuale të përdorimit të energjisë, z. Erind
Kraja dhe z. Avni Sfishta, prezantuan një set rekomandimesh për ndërhyrjen e mëtejshme të
aktiviteteve të projektit mbi masat e eficencës së energjisë dhe përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në këto rajone.
Disa nga rekomandimet e rezultuara nga anketa ishin:
• rritja e njohurive dhe ndërgjegjësimit të përfaqësuesve te qeverisjes vendore dhe faktorëve të
tjerë relevantë mbi energjinë e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë;
• përcaktimi i masave eficente të energjisë në institucionet në varësi të bashkive dhe
komunave, por edhe bizneset private;
• Krijimi i programeve lokale dhe incentivave financiare që mund të ndërmerren nga pushteti vendor për të stimuluar bizneset që përdorin masa eficente dhe ulin ndotjen e mjedisit.
Ky aktivitet ndihmoi për identifikimin e aktorëve vendorë, të cilët do të bashkëpunojnë në muajt
e ardhshëm për zbatimin e projektit në dy rajonet ndërkufitare. Media kombëtare dhe ajo lokale në të dyja vendet ndoqën aktivitetin me qëllim promovimin e mëtejshëm të objektivave tek publiku i gjerë.
Programi “Rruga drejt përdorimit efiçent të burimeve natyrore vendore”, financohet nga IPA II
Programi Ndërkufitar i Bashkimit Evropian Shqipëri – Kosovë, thirrja e 3-të për aplikim, dhe
zbatohet nga Akademia e Studimeve Politike (APS), Instituti për Studime Politike të Prishtinës
(PIPS), Komuna e Kurbinit dhe Komuna e Suharekës.
Programet | - Energjia dhe ambienti
- Integrimi evropian
- Qeverisja cilësore
|
Viti i publikimit | |