Shkolla Politike (Gjenerata 23) ka nisur zyrtarisht programin me seminarin e parë këtë fundjavë!
Më datë 11-13 Prill, gjenerata e re e Shkollës Politike filloi rrugëtimin e tyre njëvjeçar, me shumë entuziazëm dhe përkushtim për të mësuar dhe kontribuar në shoqëri.
Seminari nisi me prezantimin e programit të Shkollës Politike, ku patëm kënaqësinë të kishim të pranishëm znj. Mary Ann Hennessey nga Zyra e Këshillit të Evropës në Kosovë dhe z. Granit Tërnava nga Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo (KAS) – partnerë dhe mbështetës të rëndësishëm të këtij programi.
Nën moderimin e z. Ramadan Ilazit, pjesëmarrësit u angazhuan në punë ekipore dhe diskutime rreth temës së Shtetit, Paqes dhe Konfliktit, duke eksploruar koncepte të thella përmes bashkëbisedimeve dinamike.
Gjatë pasdites, znj. Marta Gazideda ndau njohuritë e saj mbi kohezionin social, duke analizuar rëndësinë, gjendjen aktuale dhe rolin e tij në shoqëritë e ndara – një diskutim që ngjalli reflektim tek pjesëmarrësit dhe bashkëbisedime konstruktive.
Pjesa e fundit e ditës u përmbyll me ligjëratën e z. Dukagjin Gorani me temën 'Pengesat ndaj kohezionit social në Kosovë dhe ndryshimet e nevojshme për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar'.
E shtuna nisi me një analizë historike të rrugës së Kosovës drejt shtetësisë, përmes një ligjërimi të detajuar nga z. Robert Muharremi. Diskutimi hapi perspektiva të reja mbi sfidat historike dhe progresin e bërë.
Pasditja vazhdoi me ligjëratën e z. Enver Hasani, ku në fokus ishin Kushtetuta, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave. Diskutimi rreth demokracisë, shtetit të së drejtës dhe përfshirjes ofroi një pasqyrë të rëndësishme mbi sistemin politik të Kosovës.
Dita e dytë u përmbyll me ligjëratën e z. Betim Zllanoga dhe z. Senad Sabovic mbi temën: Premtimi kushtetues i Kosovës – në të cilën u diskutua rreth sigurimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, si dhe realitetin e zbatimit të tyre në Kosovë.
Në ditën e tretë dhe të fundit, pjesëmarrësit patën mundësinë të punojnë në grupe dhe të diskutojnë rreth sfidave dhe rrugëve të mundshme për të ndërtuar një Kosovë gjithëpërfshirëse, nën moderimin e z. Ramadan Ilazi, i cili ju dha mundësinë pjesëmarrësve që të shprehin opinionet e tyre në forma të ndryshme se ku ndodhemi si shoqëri dhe si mund të ecim përpara.
Energjia dhe përkushtimi i pjesëmarrësve ishte i dukshëm gjatë gjithë seminarit, ku pati diskutime të shumta, atmosferë pozitive dhe mundësi të vlefshme për rrjetëzim. Faleminderit të gjithë folësve, moderatorëve dhe pjesëmarrësve për kontributin në suksesin e këtij seminari!
Falënderim i veçantë Këshillit të Evropës për mbështetjen e programit , si dhe Konrad Adenauer Stiftung Kosovo për mbështetjen e këtij seminari.
Programet | |
Viti i publikimit | |