Pjesëmarrësit e Shkollës Politike, Gjenerata 23, qëndruan në Strasburg nga data 4 deri më 8 nëntor, ku morën pjesë në Forumin Botëror për Demokraci 2025, i cili këtë vit u zhvillua nën temën “Demokracia në Rrezik: Si mund ta ringjallim atë?”.
Në ditën e parë, grupi mori pjesë në sesionet hapëse në Këshillin e Evropës, të cilat trajtuan rolin e medias në forcimin ose dobësimin e demokracisë, kulturën si shtyllë të qëndrueshmërisë demokratike dhe të ardhmen e pjesëmarrjes qytetare. Gjatë ditëve në vijim, pjesëmarrësit ndoqën disa “Lab Sessions” tematike, ku u diskutua për ndikimin e inteligjencës artificiale në proceset demokratike, format e reja të angazhimit politik, si dhe për mënyrat inovative për të forcuar transparencën dhe besimin publik në institucione.
Në mbrëmjen e parë, grupi u mirëprit ngrohtësisht nga Ambasadori Hiseni dhe stafi i Konsullatës së Kosovës në Strasburg, me të cilët diskutuan për angazhimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për perspektivën e anëtarësimit të plotë. Gjatë mëngjesit së ditës së dytë, grupi pati mundësinë të vizitoj edhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ishte një udhëtim i mbushur me përvoja të vlefshme, diskutime frymëzuese dhe, sigurisht, shumë momente argëtimi e energjie pozitive nga grupi i Gjeneratës 23-të!
Një falënderim i veçantë për Këshillin e Evropës për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për Konsullatën e Kosovës në Strasburg për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ngrohtë.
| Programet | |
| Viti i publikimit | |