Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) zhvilloi dje në Gjakovë një takim me të rinjtë e partive politike, me pjesëmarrje nga të gjitha partitë parlamentare (Lëvizja Vetëvendosje - LVV, Partia Demokratike e Kosovës - PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës- LDK, dhe Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës - AAK).
Takimi u fokusua në trajektoren e mendimit dhe organizimit politik shqiptar në Kosovë, nga viti 1918 deri në ditët e sotme, duke hapur diskutimin mbi traditat e ndryshme politike që kanë ndikuar në zhvillimin e shoqërisë dhe politikës kosovare.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për trashëgiminë politike dhe ideologjike, ndikimin e saj te votuesit, ndryshimet nga agjendat nacionaliste drejt atyre liberale e demokratike, si dhe për ndikimin e ndryshimit të rendit botëror në angazhimin politik në Kosovë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe apatisë politike dhe kuptimit të ideologjisë në politikën bashkëkohore: A vazhdon ideologjia të ketë rëndësi për votuesit? Çfarë ka mbetur nga traditat politike të së kaluarës dhe si po reflektohen ato në politikën e sotme?
Takime të tilla synojnë të krijojnë hapësira ku të rinjtë nga përkatësi të ndryshme politike mund të diskutojnë, dëgjojnë njëri-tjetrin dhe ndërtojnë një kulturë të dialogut politik përtej dallimeve partiake.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të punës së PIPS për dialogun ndërpartiak dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën politike të Kosovës, me mbështetjen e Demo Finland.
| Programet | - Qeverisja cilësore
- Shkolla Politike
|
| Viti i publikimit | |