Seminari i II-të i Shkollës Politike rreth Drejtësisë Tranzicionale dhe Mekanizmave të saj
Në edicionin e 2024 të Shkollës Politike, PIPS-i ka prezantuar një seminar që ka për fokus trajtimin e të kaluarës dhe drejtësisë tranzicionale.
Këtë vikend (10-12 Maj), PIPS zhvilloi këtë seminar, i dyti me radhë i Shkollës Politike, i cili ishte gjithashtu seminari i parë i programit për Drejtësinë Tranzicionale.
Seminari pati për fokus të veçantë që udhëheqësit e ardhshëm të jenë më mendjehapur dhe përfshirës, për të u angazhuar në çështje politike, dhe për të kuptuar rëndësinë e adresimit dhe ballafaqimit me të kaluarën. Pjesëmarrësit mësuan për komisionet e së vërtetës, ndjekjet penale, reparacionet, dhe reformat institucionale si mjete për të parandaluar përsëritjen e padrejtësive të kaluara. Seminari eksploroi temat e trajtimit të padrejtësive historike dhe balancimit të përgjegjësisë rreth pajtimit.
Për të diskutuar këto tema, ishte një nder të kishim folës si Dr. Fatmir Sejdiu, ish-President dhe ish-Profesor në Universitetin e Prishtinës, i cili foli për "Historinë, Kujtesën, dhe Ballafaqimin me të Kaluarën në Kosovë." Folësit e tjerë përfshijnë Bekim Blakaj-n, Drejtor Ekzekutiv në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) i cili shtjelloi rolin e FDHK-së në dokumentimin e drejtësisë; Baki Svirca, Udhëheqës i Divizionit për Drejtësi Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, mbi Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale; Dr. Gëzim Visoka, Prodekan në Universitetin e Qytetit të Dublin-it shtjelloi proceset e drejtësisë tranzicionale dhe shoqërinë civile; Serbeze Haxhiaj, gazetare investigative në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN), foli rreth gazetarisë etike në epokën e populizmit dhe Dr. Ramadan Ilazi, Udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) i cili përmbylli seminarin duke diskutuar rreth ballafaqimit me të kaluarën dhe iniciativat në të ardhmen.
Gjatë fundjavës, pjesëmarrësit dëgjuan njëri-tjetrin, dhe u angazhuan në diskutime të ndjeshme, energjia ishte e madhe me ide dhe shpirt bashkëpunues.
Ne shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë pjesëmarrësit, folësit, dhe partnerët që bënë seminarin e dytë të Shkollës së Politikës për Drejtësinë Tranzicionale një sukses!
Faleminderim i veçantë për projektin rajonal “Mbështetja e BE-së për Ndërtimin e Besimit në Ballkanin Perëndimor”, për ndihmën e tyre rreth mundësimit të këtij aktiviteti.
Aktiviteti është bërë i mundur me asistencën e projektit rajonal “Mbështetja e BE-së për Ndërtimin e Besimit në Ballkanin Perëndimor”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Programet | |
Viti i publikimit | |