Shkolla Politike
Shkolla Politike është një ndër programet e para të edukimit joformal politik në Kosovë dhe programi më i vjetër që është ende aktiv. Që nga viti 2003, Shkolla Politike implementohet nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike me përkrahjen dhe nën ombrellën e Këshillit të Evropës.
Shkolla Politike e Prishtinës është themeluar me qëllim të fuqizimit të liderëve politikë, ekonomik, social dhe kulturor, për të ndihmuar procesin e tranzicionit të shoqërisë kosovare duke mbeshtetur krijimin e një shoqërie moderne, kulture politike demokratike, përmes ofrimit të një hapësire për dialog dhe shkëmbim ndërmjet liderëve aktualë dhe të ardhshëm, të ardhur nga një sërë sferash. Në një vështrim më të gjerë, puna e Shkollës Politike lidhet me adresimin e deficitit demokratik, sundimit të ligjit dhe çështjes së të drejtave të njeriut. Pjesëmarrësit e Shkollës janë të përzgjedhur nga një gamë e gjerë grupesh, akterësh dhe organizatash si partitë politike, administrata publike, shoqëria civile, media, grupet minoritare, biznesi dhe akademia. Fokusi edukativ i Shkollës mund të përshkruhet me idenë e fuqizimit të parimeve dhe praktikave demokratike. Modulet e Shkollës përfshijnë tema si: funksionimi i rendit demokratik me pjesëmarrjen, përfaqësimin dhe gjithëpërfshirjen, qeverisja e mirë, të drejtat e njeriut, politikat e sigurisë, politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat zhvillimore si energjia dhe agjenda e gjelbër, si dhe partitë politike dhe roli i medias.
Çdo vit akademik, shkolla pranon një grup deri në 30 pjesëmarrës të cilët përzgjedhën në bazë të aftësive të tyre profesionale, duke marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë relevantë politik, social, etnik, gjinor, dhe gjeografik. Një numër i konsiderueshëm ish-pjesëmarrësish të Shkollës Politike mbajnë pozita kyçe në jetën politike dhe sociale në Kosovë. Për më tepër, ligjëruesit e Shkollës janë ekspertë të fushave të ndryshme, të përfshirë në proceset politike dhe jetën publike, akademike, përfaqësues institucionesh dhe organizatash, diplomatë dhe gazetarë, vendor dhe ndërkombëtar.
Programi i Shkollës Politike mbështetet nga Këshilli i Evropës.