Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 8 mars 2023.
Kjo Strategji synon të adresojë sfidat aktuale dhe të vendosë bazat për një të ardhme të sektorit energjetik që do të ofrojë siguri të furnizimit, energji të pastër, efiçiencë të energjisë dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve. Strategjia përfshin integrimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës në tregun rajonal dhe atë pan-Evropian, me theks të veçantë në përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) dhe bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Shqipërisë.
Në këtë kontekst, raporti i monitorimit shërben si një mjet thelbësor, duke ofruar një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të zbatimit të strategjisë për vitin 2024 (duke përfshirë vitet 2022 dhe 2023). Andaj, PIPS po vazhdon me monitorimin e strategjisë, ndërsa ky raport është pjesa e dytë e serive të raportit të monitorimit, që mbulon të gjitha masat e papërmbushura të 2022-tës dhe 2023-tës, si dhe te gjitha masat e 2024-tës.
Raporti synon të vlerësojë arritjet dhe të identifikojë sfidat gjatë këtyre viteve të implementimit të strategjisë.