Shkurt 2022
Efektet socio-ekonomike të Covid-19 në Kosovë jane evidente që nga marsi i vitit 2020, kur u morën masat e para nga qeveria, e deri më tani në vitin 2022.
Ky studim ndihmon për të pasqyruar se si kjo periudhë është kuptuar ekonomikisht dhe socialisht në Kosovë pothuajse dy vjet pas fillimit të pandemisë. Qëllimi i këtij punimi është të lehtësojë një komunikim më të mirë ndërmjet perceptimeve të qytetarëve dhe politikave institucionale në mënyrë që të ndikojë në vendimmarrje të hapur, transparente dhe demokratike.
Me në metodologji të përzier - kuantitative dhe kualitative - të dhënat nga ky hulumtim paraqesin politikat e qeverive të Republikës së Kosovës, masa që drejtpërdrejtë ishin reflektuar tek punëtorët, duke goditur kështu të ardhurat, konsumin në treg dhe duke cënuar mirëqenien e shoqërisë.
Janar 2022
Sistemi i drejtësisë deri më tani ka kaluar nëpër reforma të vazhdueshme dhe ka pasur përpjekje nga Qeveri të ndryshme për të trajtuar me prioritet sfidat afatgjata që pamundësojnë funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe ofrimin e drejtësisë për qytetarët. Kjo analizë ka për qëllim të diskutojë gjendjen aktuale të reformës së sistemit të drejtësisë në Kosovë gjatë vitit 2021, në veçanti në kontekst të zbatimit të MSA-së dhe reformave të tjera për integrim në BE.
Janar 2022
Bashkëpunimi rajonal në Ballkan shoqërohet me një mosbesim të thellë mes shteteve. Nisma të ndryshme të inicuara nga Bashkimi Evropian apo anëtarë të BE-së, kanë instaluar mekanizma të ndryshëm për të facilituar marrëdheniet rajonale dhe maksimizuar përfitimet për të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Megjithatë, shpesh herë ky nuk ka qenë rasti. Ky Shënim Politikash analizon në kontekst krahasues propozimin e qeverisë me marrëveshjen ekzistuese për bashkëpunim ekonomik. Ndërkaq, për më tepër jep një pasqyrë se si do të funksiononte propozimi i ri, në kuadrin normativ.
Dhjetor 2021
Qëllimi i kësaj analize të politikave është të hedhë dritë mbi mënyrën se si gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u përballën me parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm (P/CVE). Ai synohet të jetë i pari i një serie analizash mbi këtë çështje. Ndërsa ky punim do të fokusohet në nisma specifike të vendit dhe analiza të bazuara në aktorë, publikimet e ardhshme do të ofrojnë një këndvështrim statistikor rajonal në lidhje me fenomenin e luftëtarëve të huaj, duke përfshirë nismat e riatdhesimit dhe riintegrimit, dënimet, si dhe sfidat me të cilat përballen gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Dhjetor 2021
1 vit ka kaluar nga nënshkrimi i marrëveshjes së shtatorit 2020 për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.
PIPS ka bërë vlerësimin dhe analizën e zbatimit të 5 pikave me rendësi nga kjo marrëveshje:
(1) përcaktimin e Hezbollahut si një organizatë terroriste në tërësi
(2) pjesëmarrjen në Mini-Shengen (Ballkani i Hapur)
(3) respektimi i moratoriumit i cili pezulloi aplikimet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare
(4) njohja reciproke dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin për Kosovën, përkatësisht zhvendosja e Ambasadës në Jeruzalem për Serbinë dhe
(5) puna me vendet e tjera për të nxitur dekriminalizimin e homoseksualitetit
Kosova ka plotësuar 4 prej këtyre pikave, ndërsa Serbia vetëm 2 prej tyre.
Publikimi sqaron kontekstin politik dhe veprimeve e ndërmarra nga dy palët për aktualizimin e marrëveshjes.
Nëntor 2021
Në punimin e fundit PIPS ka analizuar qasjen dhe rolin e Kosovës në luftën globale kundër dezinformimit. Ngjashëm me pjesët e tjera të globit, në vitet e fundit Ballkani Perëndimor ka pasur një rritje të dezinformimit dhe luftërave hibride.
Në Ballkanin Perëndimor qëllimet kryesore të lajmeve të rrejshme ndër të tjera përfshijnë prishjen e bazës së ligjshmërisë dhe sovranitetit të shtetësisë së Kosovës, ndryshimin e narrativave të luftës dhe krimeve të luftës, prishjen e besueshmërisë së Perëndimit në lidhje me shtetndërtimin në Kosovë. Lajmet për Kosovën, përveçse janë temë mbizotëruese në mediat serbe, shpeshherë janë objekt i raportimeve të pasakta. Narrativat e shpërndara nga mediat tendencioze gjithashtu përqendrohen në dobësimin e mbështetjes për institucionet euroatlantike.
Zhvillime të tilla janë pengesë ndaj integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, për atë në këtë analizë të politikave PIPS ka listuar mundësitë dhe rekomandimet për qeverinë e Kosovës dhe BE-në për të trajtuar këtë fenomen.
Tetor 2021
Bashkimi Evropian dhe Kosova vendosën të fillojnë fazën e dytë të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) në mënyrë që të vazhdojnë zbatimin e MSA-së. Si rezultat, qeveria (Hoti) miratoi prioritetet e ERA II më 19 tetor 2020. Pas konsultimeve me OShC-të, institucionet përgjegjëse për zbatim dhe Komisionin Evropian, plani i veprimit dyvjeçar për ERA II u miratua fillimisht në parim nga Këshilli Ministror për Integrimin Evropian në maj të 2021 dhe më pas u miratua nga qeveria e re (Kurti) më 11 gusht.
Duke pasur parasysh rëndësinë që ERA II ka tani në rrugën e integrimit në BE, është kritike të kapërcehen pengesat e përjetuara më parë, të shmanget rënia në të njëjtat kurthe dhe përjetimi i të njëjtave vonesa. Prandaj në këtë publikim Instituti i Prishtinës për Studime Politike paraqet një pasqyrë të zbatimit të ERA 1 dhe jep rekomandime të cilat mund të përmirësojnë zbatimin e përgjithshëm të ERA II.
Shtator 2021
A është Kosova akter racional dhe anëtar përgjegjës i bashkësisë demokratike ndërkombëtare?
Në punimin e fundit PIPS ka analizuar qasjen dhe rolin e Kosovës në luftën globale kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Publikimi hedh dritë mbi shembujt dhe rastet që tregojnë se:
Në luftën globale kundër ekstremizmit të dhunshëm, Kosova është demonstruar si akter racional, duke marrë përgjegjësinë për riatdhesimin dhe riintegrimin e qytetarëve të saj nga zonat;
Institucionet e Kosovës kanë treguar kapacitet për të marrë përsipër dhe për të përmbushur angazhimet globale që kontribuojnë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare;
Kosova gëzon tolerancë fetare por raportimi i mediave ndërkombëtare ka krijuar përshtypjen se vendi është i rrënuar nga radikalizimi fetar dhe ekstremizmi;
Tutje, Kosova ka identifikuar edhe radikalizimin etno-politik si të dëmshëm për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e tij.